
Dëshmitë e dhimbshme të pesë viktimave të abuzimeve - vatican news
Vaticannews is ON AIR - VIEW NOW
Please note: this is Beta feature.
Play all audios:
Histori dhimbjesh, heshtjesh, dhune të pësuar, por edhe dëshirë për t’i rikthyer besueshmërinë Kishës, përmes impenjimit dhe përgjegjësisë së anëtarëve të saj. Kjo u theksua gjatë pesë
dëshmive, ndërmjet të cilave, dëshmia e një gruaje, dëgjuar në hapje të takimit, që do të vijojë deri më 24 shkurt, në Vatikan. R. SH. - VATIKAN Vinin nga pesë kontinente të ndryshme,
dëshmitë e para-regjistruara, që u dëgjuan sot, menjëherë pas lutjes me të cilën u hap, në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan, takimi kushtuar “Mbrojtjes së të miturve në Kishë”. I fortë,
falënderimi i të shpërdoruarve, që iu dha mundësia të dëgjohen e të japin, kështu, kontributin e tyre që nga ky takim në Vatikan, të dalë një Kishë më e mirë. E veçantë, pastaj, mirënjohja
për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë nga ana e Atit të Shenjtë. Por edhe më e fortë, jehona që patën në sallën e madhe, fjalët e viktimave. Jo vetëm për dramën e shpërdorimit seksual, por
edhe e sidomos, për pasojat e saj të tmerrshme mbi jetën e përditshme në familje, në marrëdhëniet me shoqërinë e deri me vetë Zotin! Zëri i viktimave u ngrit edhe për t’i kërkuar
vendosmërisht ipeshkvijve si dhe mbarë Kishës, që të mos “pranojnë”, pa vepruar, por ta marrin plotësisht mbi vete përgjegjësinë e asaj, që ndodhi e të bashkëpunojnë me drejtësinë, që ky
“tumor” jo vetëm të shkulet, por edhe të mjekohet me “metodat” e duhura. DËGJIMI I VIKTIMAVE E KUJDESI PËR TA Si katolik - tha zëri i dëshmitarit nga Amerika e Jugut - gjëja e parë, që
mendova, ishte: “Po shkoj e ia tregoj gjithçka Kishës Nënë, ku sigurisht do të më dëgjojnë e edhe do të më respektojnë”. S’e kisha hapur ende mirë gojën, kur nisën të më trajtojnë si
gënjeshtar. “Kjo është skemë, që ekziston në mbarë botën. E duhet të marrë fund!”. Si mund të zhduket gjithë ky shëmtim, atëhere? Gjëja e parë, që duhet bërë, është dëgjimi i viktimave. U
duhet besuar. Duhen shëruar! E pastaj, duhet bashkëpunuar me drejtësinë. Duke u folur drejtpërdrejt ipeshkvijve të pranishëm në sallë, zëri i largët, ardhur nga Amerika e Jugut, u kërkoi ta
dëgjojnë mirë atë, që dëshiron të bëjë Papa, të mos mjaftohen të pohojnë me një të luajtur koke. “E kërkon vetë Shpirti Shenjt - theksoi zëri - që të jepni ndihmesën për t’i rikthyer
besimin Kishës. E ata, që nuk duan ta dëgjojnë Shpirtin Shenjt e duan të vijojnë t’i mbulojnë fajtorët, të largohen nga Kisha, për t’i lëshuar vendin atyre, të cilët duan të ndërtojnë një
Kishë të re!”. NJË KISHË E RE E PLOT ME PËRGJEGJËSI Është histori dhune, poshtërimi e detyrimi, ajo që tregoi gruaja e vetme, në dëshminë e saj, sot. Zëri vinte nga Afrika; tri herë
shtatzënë, e tri herë e detyruar të abortojë. Me jetë të rrënuar! Nga goja e saj doli një mesazh drejtuar ipeshkvijve. Ishte thirrje për dashuri të vërtetë: “Kur e do dikë, mendon vetëm për
të ardhmen e tij, për të mirën e tij”. Kështu duhet të veprojnë edhe priftërinjtë e rregulltarët, si njerëz me përgjegjësi! Që nuk mendojnë vetëm për vete, por edhe, e sidomos, për të
tjerët”. T’i dëgjosh viktimat, të mësohesh për t’i dëgjuar: këtë kërkoi një prift, që dëshmoi për abuzimet e pësuara nga një prift tjetër. I ardhur nga Evropa Lindore, 25 vjet pas
shugurimit, u ankua me vite, por askush nuk e dëgjoi, nuk e kuptoi e as nuk u mundua t’ia mbyllte plagën, që i qe hapur në shpirt. E megjithatë e përfundoi dëshminë duke shqiptuar fjalën
“falje”, e duke falënderuar Kishën dhe të gjithë ata që, megjithatë, u përpoqën ta mbështesin! NJË LEADERSHIP ME VIZION E GUXIM “Plagë” ishte fjala kyçe e viktimës së katërt të
shpërdorimeve, zëri i së cilës jehoi sot në sallën e mbledhjes. Ishte zë i një burri nga SHBA-të, që foli për humbjen e plotë të pafajnisë, e me të, të rinisë, si flitet për një nga plagët
më të rënda, hapur pas shpërdorimit nga ana e një prifti. Fjalët e tij ishin të ngarkuara rëndë me një dhimbje, ende të freskët, të ndjerë fort edhe në marrëdhëníet familjare, për shkak të
manipulimit pësuar nga një njeri i keq, një meshtar katolik. Ipeshkvijve, që e dëgjonin, u kërkoi të tregojnë se janë leadership me vizion e guxim, që duan të gjejnë rrugëzgjidhje e të
punojnë për një “Kishë më të mirë”. U rikthye dëgjimi i munguar dhe bashkëpunimi me të gjithë ata – provincialë dhe eprorë - që e patën mbuluar abuzimin, e me të, edhe kërkesa për “masat
e rrepta, që i tregojnë udhën abuzuesve - edhe në dëgjimin e dëshmisë së sotme, e fundit, nga një burrë aziatik. Heshtja mund të vrasë - pohoi - duke treguar sa vështirë e ka të jetojë, të
rrijë bashkë me njerëzit e tjerë e të ketë lidhje me ta. Nëse dëshirohet të shpëtohet Kisha nga kjo, që e quan “bombë me sahat në Kishën e Azisë”., udha e vetme është ajo e drejtësisë. E
atyre, që e dëgjonin u kujtoi: “Nuk duhet të lejojmë që fajtorët të mbulohen nga miqtë e tyre, sepse po vijoi kjo, do të shkatërrohet një brezni e tërë të miturish”.