
Françesku kthehet tek fëmijët e repartit të onkologjisë pediatrike në “gemelli” - vatican news
Vaticannews is ON AIR - VIEW NOW
Please note: this is Beta feature.
Play all audios:
Për herë të tretë, Papa vizitoi pacientët e vegjël, të cilët janë shtruar në repartin përballë tij, në katin e dhjetë të Poliklinikës Gemelli. Ndërkaq, paraditen e sotme, Ati i Shenjtë
përshëndeti edhe drejtuesit e lartë të spitalit R.SH. – VATIKAN Edhe një herë, Papa Françesku nuk mungoi të përqafonte fëmijët e shtruar në repartin e Onkologjisë Pediatrike dhe të
Neurokirurgjisë së Fëmijëve, në Poliklinikën Gemelli. Një javë pas operacionit në bark, paraditen e sotme, Ati i Shenjtë e la apartamentin e tij privat në katin e dhjetë për të përshëndetur
fqinjët e po atij kati, të vegjlit e këtij reparti të spitalit, të cilëve u është rezervuar një hapësirë me mure plot vizatime e ngjyra, si edhe shumë lodra, si për t’i bërë të harrojnë, së
paku për një çast, sëmundjet e tyre tejet të rënda. FALËNDERIMI PËR LETRAT DHE VIZATIMET Fëmijëve, të cilët e pritën me duartrokitje në korridor, së bashku me mjekët dhe infermierët, Papa u
shprehu afërsinë, dashurinë, emocionin e tij, mes përkëdheljeve e bekimeve. Shfrytëzoi rastin për t’i falenderuar vogëlushët për letrën e 9 qershorit, me të cilën i uronin shërim të shpejtë.
"Kthehu shpejt", i shkruanin, duke i dërguar edhe vizatime të shumta e një skulpturë me mbishkrimin: "Gjithmonë me ty". Më pas, Françesku u ndal për të folur me një çift
të moshuarish, siç njofton edhe Salla e Shtypit e Vatikanit, e cila publikoi edhe fotografitë e takimit, të parat pas operacionit. VIZITA E TRETË Është hera e tretë, që Papa Françesku shkon
në repartin e Onkologjisë Pediatrike. Herën e parë, në korrik 2021, u tërhoq nga muzika që vinte nga i ashtuquajturi Krahu D, interpretuar nga Ambrogio Sparagna dhe Orkestra Popullore
Italiane, që po jepte një koncert të vogël për fëmijët. Herën e dytë, më 31 mars, pasi dhuroi rruzare dhe vezë çokollate, Ati i Shenjtë pagëzoi një foshnjë disa ditëshe, që tashmë është bërë
“e famshme”. Është fjala për Miguel Ángel, peruvian, i shtruar në spital pas një rënieje. Pak ditë më parë, nëna e fëmijës, Marcela, pati shkuar në Gemelli për të përshëndetur Papën, duke i
çuar një poster me fotografi të familjes së saj dhe një mesazh urimi. Françesku e mori vesh dhe i telefonoi për ta falënderuar.